Bodo/Glimt do të përballet mbrëmjen e sotme në transfertë përballë Interit, në ndeshjen e kthimit të “play-off” të 1/16-ave në Champions League. Sfida që do të zhvillohet në stadiumin “San Siro”, do të nisë në orën 21:00.
Në prag të këtij dueli ka folur edhe trajneri i norvegjezëve, Kjetil Knutsen. Ky i fundit u është kundërpërgjigjur zikaltërve, për shkak se pas humbjes 3-1 në Norvegji, lojtarët e Interit dhe stafi u ankuan për fushën sintetike.
Knutsen theksoi se as ekipi i tij nuk është mësuar të luajë në një stadium si “San Siro”. Ndër të tjera, tekniku bën krahasimin me City-n, ekip që e mposhtën po në fushë sintetike, por nuk patën ankesa nga ana e tyre.
“Nuk mund të bëj asgjë për këtë. Mendoj se duhet të përqendrohemi në atë që mund të kontrollojmë. City as nuk e përmendi fushën. As ne nuk jemi mësuar të luajmë në “San Siro”, por unë po e mbaj fokusin tim diku tjetër. Nuk mendoj se është e zgjuar të flasësh për diçka tjetër përveç futbollit, por ajo që bëjnë të tjerët nuk është e rëndësishme për mua.
Para së gjithash, lojtarët e Bodos kanë shumë energji dhe mund të luajnë shumë role. Mund të ketë një zjarr brenda tyre, dhe unë duhet ta bashkoj këtë identitet. Të luash në një stadium historik si “San Siro” është një dhuratë, por duhet të jesh gati ta pranosh atë”, tha Knutsen.
