
Kukësi vijon përgatitjet për sezonin e ri të Kategorisë Superiore. Verilindorët janë në pritje të "dritës jeshile" nga Federata për të nisur kampionatin dhe tashmë grupi duket i kompletuar. Në një intervistë për mediat trajneri Skënder Gega u shpreh se bojkoti u ka shërbyer për mirë pasi lojtarët e rinj janë ambientuar më shumë me skuadrën, por nga ana tjetër theksoi se kjo ndalesë e gjatë mund të ndikojë negativisht duke parë se do të ketë ngjeshje të kampionatit.
"Është një kohë e gjatë pa luajtur dhe kjo ka shërbyer për afrimet e reja në mënyrë që të adoptohen sa më shpejt me pjesën tjetër të skuadrës.
Kjo është ana e mirë e medaljes ndërsa pjesa tjetër është që do të rëndohemi me ngjeshjen e ndeshjeve, por jemi përgatitur për çdo situatë.
Ndalesa ka problemet e veta dhe kjo nuk është vetëm për ne, por për të gjitha skuadrat e shpresoj t'i keni shërbyer të gjithëve pasi do të hyjmë në një garë të fortë.
Ibraimi? Unë besoj se futbolli është lojë në grup dhe Ibraimi për eksperiencën që ka ëshë një vlerë e shtuar dhe ai duhet të përshtatet në këtë aventurë të re. Ai ka vlerat e tij dhe mendoj se do të na ndihmojë shumë edhe pse i vetëm nuk mund të bëjë asgjë. Janë 36 sfida veç Kupës, sekreti është që të mos humbasim besimin te njëri-tjetri edhe nëse gjërat nuk shkojnë mirë" u shpreh Gega.