
Mbrojtësi i majtë i Teutës, Blerim Kotobelli ka folur në një intervistë për newsport.al ku ka treguar për objektivat e sezonit të ri të ekipit durrsak. Aktualisht, “djemtë e detit” janë duke u përgatitur në qytetin bregdetar pas kthimit nga Pogradeci ku zhvilluan fazën përgatitore, ndërsa Kotobelli pranon se kjo ka qenë një periudhë që do t’i shërbejë skuadrës për të qenë gati për sfidën e parë të kampionatit kundër Tiranës. Mbrojtësi i majtë, i cili sezonin e shkuar ishte padyshim një pikë e fortë dhe titullar i padiskutuar, këtë sezon premton sërish paraqitje në nivele të larta për të ndihmuar Teutën drejt realizimit të objektivave.
-Si ka qenë kjo periudhë përgatitjesh për Teutën?
-Ka qenë një fazë me ritme shumë të larta. Kemi punuar shumë dhe ekipi sa vjen dhe merr formën e duhur. Kemi në dispozicion edhe disa ditë të tjera për t’u përgatitur para takimit të parë të kampionatit. Besoj se deri në atë moment do të jemi në super formë.
-Si ju duken përforcimet e kësaj vere që ka bërë klubi?
- E kanë forcuar shumë ekipin, pasi janë vërtetë lojtarë cilësorë. Na nevojiten për të qenë kompetitivë dhe mendoj se do të na ndihmojnë shumë.
-Sa do t'i shërbejë Teutës në kampionat, pjesëmarrja që pati në Kupat e Europës gjatë verës?
-Do të na shërbejë si një tjetër eksperiencë e vyer për të kërkuar edhe vitin e ardhshëm një gjë të tillë. Do të tentojmë të jemi sërish një skuadër kompetitive si sezonin e shkuar.
-Ç'mendim keni për kalendarin e sezonit, si e pritët?
- Kemi një kalendar të vështirë, edhe pse në të vërtetë nuk ka ndeshje të lehta. Sfidat do t’i marrim një e nga një, e më pas do të shihen edhe diferencat se cilat prej skuadrave do të vijojnë të mbeten të forta deri në fund.
-Ndeshja e parë e sezonit është kundër Tiranës, si e pret Teuta këtë përballje?
-Tirana është forcuar shumë këtë sezon. Është një ekip që llogaritet gjithnjë si pretendent për titull. Por, Teuta do të kërkojë të fitojë, sepse nga starti varet shumë edhe ecuria jonë më pas.
-A do të jetë Kotobelli edhe këtë vit në top-formën që tregoi sezonin e shkuar?
-Po punoj shumë dhe do vazhdoj ta bëj një gjë të tillë për të ecur shumë lart dhe për t’i dhënë ekipit të Teutës ku unë aktivizohem aktualisht, gjithçka nga aftësitë e mia për të arritur objektivat sezonalë.
-Cilat janë objektivat e Teutës këtë sezon?
-Si fillim do të mundohemi të fokusohemi te ndeshja e radhës për të mos u shpërqendruar. Kupat e Europës do të jenë synimi ynë sërish. Pjesëmarrja në këto kompeticione do t’i shërbejë shumë Teutës, lojtarëve, klubit, por edhe tifozëve tanë për t’i bërë ata krenarë.