
Skuadra e Ferizajt në kampionatin e Kosovës rrezikon të shpërbëhet. Kriza e madhe financiare e klubit po i shtyn futbollistët dhe trajnerin që të kërkojnë "divorcin" për shkak se nuk kanë marrë pagat e prapambetura, të cilat u janë premtuar se do t'u jepen në fillim të muajit janar.
Por media shqiptare "Bota sot" nxjerr në dritë thellësinë e krizës së klubit të futbollit. Një burim i medias në fjalë thekson se klubi pret privatizimin dhe një drejtues i huaj ka premtuar marrjen në dorëzim të Ferizajt.
"Puna është shumë keq. Nuk ka lëvizje, nuk i intereson askujt për klub. Situata, sicc po shkon, klubi do të përbehet krejt me lojtarë të rinj për sezonin pranveror, sepse me këtë gjendje nuk kemi fuqi të mbajmë asnjë futbollist.
E vërtet që klubi po shkon drejt shkatërrimit! Askush nuk merr përgjegjësi, as komuna dhe gjithçka është keq. Lojtarët dhe trajneri janë në pritje. Sa kam informacione, pritet të largohen të gjithë lojtarët dhe trajneri. Ta shohim deri me 6-7 janar se çfarë do të bëhet, ndryshe duhet të përqendrohemi te lojtarët e rinj
Nuk jemi keq në tabelë dhe nuk ka asnjë arsye mu dorëzuar, sepse me investime e përforcime do të largohemi nga zona e rënies në një kategori më poshtë. Por askujt nuk po ia ndien për klubin, ka mbetur as në tokë as në qiell dhe a do të kemi shpëtimtar, do të shihet. Sa e shoh deri më tani, askush nuk merr as përgjegjësi, as iniciativë për ta shpëtuar.
Nuk jemi larg pjesës së dytë të kampionatit, kur dihet se më 9 shkurt e kemi ndeshjen e çerekfinales për Kupë me Feronikelin, ndërsa nuk e dimë se kur do t'i nisim përgatitje dhe si do t'ia bëjmë me fond të lojtarëve. Gjithçka është mjegull.
Po flitet se klubin mund ta marrë një investitor i huaj. Kjo me gjasë do ta privatizojë klubin dhe për këtë është e interesuar edhe Komuna", thonë burimet e afërta me klubin.