Partizani nuk diti të menaxhojë avantazhin e dy golave, teksa të besuarit e trajnerit Sormani u befasuan në minutat e fundit (87′) nga Bylis, që “rrëmbeu” një pikë në “Air Albania”. Ndeshja e djeshme për javën e 23-të të Kategorisë Superiore, pa një Partizan me dëshirë dhe raste, por që nuk mundi të mbyllë duelin me rastet e krijuara. Një javë përpara derbit me Tiranën, barazimi ndaj ballshiotëve shihet si humbje për kampionët në fuqi.
Trajneri Sormani duhet të menaxhojë edhe dëmtimet, me kroatin Boldor që nuk është gati për të disatën javë. Një tjetër dilemë përpara derbit me bardheblutë është edhe gjendja e Bruno Telushit, me vlonjatin që sakrifikoi duke luajtur i dëmtuar dje. Një rikthim i rëndësishëm do të jetë ai i Bitrit për mbrojtjen, që dje shleu dënimin me një ndeshje pezullim për shkak kartonash. Lorenc Trashi, i dëmtuar mbrëmë në përballjen me Bylis, duket se nuk ka shqetësime dhe do të jetë gati për ndeshjen kornizë të futbollit shqiptar.