
Nesër, Kukësi do të luajë kundër Flamurtarit në kuadër të javës së 11-të të Superiores. Para këtij takimi, ka dalë në konferencë për shtyp trajneri Armando Cungu.
Tekniku shkodran ka analizuar gjendjen e skuadrës së tij duke u ndalur te mungesat e deri te objektivi në sfidën e nesërme. Çështja "Çyrbja" shpjegohet nga shkodrani, por pa dashur t'i futet në detaje. Në fund, Cungu tregon marrëdhënien me trajnerin Ilir Daja.
OBJEKTIVI - Ndeshjen e parë, edhe pse dominuam me lojë dhe me raste, një pakujdesi në një goditje standarde na kushtoi humbjen. Gjithsesi jemi në një situatë tjetër, në një ritëm tjetër. Kam bindjen për t'u futur në fushë për të fituar si gjithmonë, por edhe fati të na buzëqeshë pak edhe neve. Futbolli dihet që ka nevojë edhe për pak fat. Uroj të jetë në krahun tonë këtë herë.
STADIUMI "KAMZA" - Shpresoj të kemi përkrahje këtë ndeshje, nuk kemi pasur deri tani. Ekipi ka nevojë, shpresoj të jenë sa më të shumtë dhe të përkrahin ekipin. Gjithashtu të jetë një impuls edhe për ekipin që të bëjë diçka më tepër në aspektin e ritmit të lojës.
ÇËSHTJA "ÇYRBJA" - Nuk ka asgjë serioze për t'u shqetësuar. Thjesht një dënim i vogël, si rezultat i kësaj klubi ka vendosur ta kalojë për një periudhë tek ekipi B. Nuk ka asgjë për t'u shqetësuar as për ta diskutuar më tepër këtë problem.
Pres të them të drejtën. Pres kontribut të tij, natyrshëm. Të paktën të japë atë që ka dhënë te Teuta. Edhe vetë lojtari nuk është i kënaqur me rendimentin e tij. Si klub kemi bindjen e plotë se mund të jetë një ngërç momental i Çyrbjes, por i ka të gjitha mundësitë për t'u rikthyer ai që njohim të gjithë.
DËMTIMET- Kjo javë ka qenë e trazuar, kemi pasur probleme jo pak. Kemi pasur probleme serioze me disa lojtarë, plot pesë lojtarë kanë pasur dëmtime. Kemi pasur pak ditë në dispozicion që lojtarët të rikuperohen. Do presim deri nesër për të parë se sa do të jenë të gatshëm.
Normal që na dëmton, pasi janë lojtarë të rëndësishëm. Na mungojnë edhe Musolli e Rrumbullaku, gati një ekip me dëmtime. Gjithsesi stërvitet një ekip me 25 lojtarë dhe e kam theksuar edhe herë tjetër që mundësia po u jepet të gjithë lojtarëve.
SYNIMI- E kam theksuar se nuk futem në asnjë ndeshje për barazim. Këtë gjë jam munduar t'ia injektoj edhe futbollistëve. Fusha mund të prodhojë rezultate të ndryshme, por primare është të synohet fitorja.
SUPERLIGA - Normal një kampionat ka problematikat e veta, edhe pse një ekip mund të ketë një ritëm të mirë. Na ndodhi edhe ne, morëm katër fitore dhe dolëm në krye. Dy rezultate jo pozitive me rivalët, bënë që të humbnim terren. Gabuan edhe kundërshtarët dhe është herë për të folur nëse është i hapur apo i mbyllur kampionati. Jam i mendimit se do të jetë i hapur deri në fund.
NGËRÇI I GOLIT- E drejtë, është një pyetje që më bëhet çdo javë. Me dëshirën e mirë që të thyhet akulli, shpresoj të futen në lojë edhe të tjerët. Shpresoj që edhe mesfushorët të shënojnë.
ILIR DAJA - Unë kam mik çdo trajner dhe kam raporte të mira. Është trajner që ka eksperiencë dhe duhet respektuar, sikurse edhe Flamurtari. Prej vitesh investon shumë, por nuk i kthehet mbrapsht investimi. Kam frikë se edhe ky vit do të jetë i njëjtë për ta. Gjithsesi nuk i druhem as unë, as ekipi, asnjë strategjie të kundërshtarit.