
Artan Mërgjyshi “ndjek modën”. Trajneri i njohur ka deklaruar ashtu si pjesa më e madhe e homologëve të tij që kampionati duhet të zgjidhet në fushën e lojës.
Në një prononcim të dhënë për RTSH Sport, ai ka analizuar situatën e krijuar nga Coronavirusi ndërsa i mëshon idesë që në sezonin e ri duhet të shtohet numri i skuadrave të Superiores. Gjithashtu ka një thirrje për FSHF-në, që i “tërheq veshin” për Pogradecin.
Situata e skuadrës – “Padyshim që ndikon negativisht se është një periudhë shumë e gjatë, edhe në përfundim të sezonit normal nuk ka bërë vaki të rrinë 2 muaj pushim. Pavarësisht kësaj, jemi munduar dhe ata vetë jemi të ndërgjegjshëm që stërvitjet nuk kanë qenë në kushtet ideale se mungon stërivtja e grupit, ritmi, loja, kontakti fizik. Por jemi në pritje që të fillojmë nga momenti në moment duke parë që situate po përmirësohet gradualisht”.
Kthimi i kampionatit – “Jo vetëm për interesat tona sepse ndodhemi në vend të dytë, por edhe për të pasur një logjikë sportive, të gjithë jemi të ndërgjegjshëm që kampionati duhet të vazhdojë e që verdiktet të jenë në fushë. 6 javët t’i zhvillojmë edhe me ngjeshje, patjetër, por është shumë e rëndësishme që të vendoset me ndeshje të luajtura e jo vendime tavoline”.
Formula për sezonin e ri nëse mbyllet pa u luajtur – “Kjo është në dorë të Ekzekutivit të Federatës që duhet të vlerësojë situatën dhe të ndryshojë ndoshta formulen e kampionatit duke rritur numrin e skuadrave jo për të bërë qejfin por për të parë skuadra që mund të përballojnë situatën në Superiore, Apolonia është ndër të paktat në Shqipëri që ka garanci financiare dhe infrastrukturë, teknikisht është e denjë për të qenë në Superiore”.