E ftuar në emisionin "Opinion" në TV Klan, gazetarja dhe drejtoresha e Newsport.al, Anila Basha deklaroi se e priste humbjen ndaj Izraelit, duke qenë se sinjalet për momentin jo të mirë të, Kombëtarja i dha që në sfidën kundër Maqedonisë, përtej fitores së vuajtur 2-1.
"Në fakt unë e prisja humbjen. Madje nuk preferova as të shkoja në stadium për sfidën ndaj Izraelit. Kishte eufori të pajustifikuar para ndeshjes.
Edhe ndeshja me Maqedoninë nuk na la shije të mirë, ndonëse fituam 2-1.
Nuk e di nëse lojtarët e Kombëtares luajnë rregullisht të gjithë në klubet e tyre, por i pashë që nuk ishin në formë fare kundër Izraelit.
Gjithashtu kundër Spanjës u lodhëm shumë, sepse mbetëm brenda gjysmëfushës sonë. Na mbyllën në portën tonë.
Për sa i përket masave të ndërmarra nga policia para ndeshjes me Izraelin, mendoj se ishin të nevojshme, sepse kishte kërcënim serioz për sulm terrorist.", deklaroi gazetarja dhe drejtoresha e Newsport.al në "Opinion" në TV Klan.