
Gjiganti belg, Anderlecht është duke kaluar një situatë të vështirë financiare. Veç borxhit të mëparshëm, që sipas mediave në Belgjikë kap shifrat e 100 milion eurove, situata e fundit me Covid-19 ka lëkundur të ardhmen e klubit që ka fituar 34 herë kampionatin belg.
Në këto kushte, drejtuesit i kanë kërkuar lojtarëve që të heqin dorë nga paga e një muaji si fillim dhe më pas duhet të shihet situata. Te Anderlecht e kanë të qartë të ardhmen, teksa janë shkurtuar edhe disa vende pune që janë parë të domosdoshme në këtë situatë. Klubi do të shesë disa nga lojtarët që ka në pronësi, me një çmim dukshëm më të ulët se tregu, kjo e gjitha për të shpëtuar financat.
Në këtë listë bën pjesë edhe futbollisti shqiptar, Kristal Abazaj. Lojtari aktual i Kukësit është në pronësinë e belgëve, ndërsa pjesa më e madhe e pagës jepet nga Anderlecht. Në Belgjikë janë të sigurt se të gjithë lojtarëve iu është kërkuar të heqin dorë nga paga e një muaji, gjë që patjetër ka ndodhur edhe me Abazaj, që merkaton e ardhshme mund të shitet nga klubi që i zotëron kartonin.