
Humbja me Laçin 2-0 javën e kaluar duket se uli euforinë në Shkodër tek Vllaznia. Ekipi po tregon se ka limite dhe nuk mund të pretendohet shumë nga Vllaznia. Por drejtori teknik i Akademisë Vllaznia, Alban Hasani nuk është i këtij mendimi dhe nuk e shikon si fundin e botës humbjen me kurbinasit.
"Nuk mund ta bëjmë dramë një humbje me Laçin. Kampionati sapo ka filluar dhe nuk do ishte e drejtë të nxirrnim konkluzione që në këto momente. Lojtarët duhet të marrin përgjegjësitë që iu takojnë dhe të nxjerrin ekipin nga situata. Vllaznia ka mesfushën më të mirë në Shqipëri. Lojtarë që janë shpallur kampion por ndoshta ardhja e tyre me vonesë ka bërë që fillimi të jetë i ngadaltë. Jam i bindur se këtë sezon Vllaznia do jetë më mirë se sa ishte sezonin e kaluar".
Hasani ndalon edhe tek Champions League e të rinjve ku Vllaznia debutuese u mund në Moldavi me rezultatin 3-1 nga Zimbru.
"Realisht nuk e meritonim humbjen në atë ndeshje sepse ekipi luajti shumë mirë. Kam besimin e plotë që ne do e kthejmë në "Loro Boriçi" në ndeshjen e kthimit. Pozitiv është fakti se kemi pasur telefonata të shumta nga menaxherë të shumtë për lojtarët tanë ku mund të veçoj Pusin, Milotin, Hysenajn apo edhe Isufin."