
Sezonin e kaluar, Andrea Agostineli ishte pjesë e Partizanit. Ish-trajneri i të kuqve u përball dy herë me Skënderbeun e ish teknikut Josa, ku arriti të barazonte në 14 mars në "Qemal Stafa", ndërsa në 13 maj mori një fitore në limite në Korçë me golin e Emiliano Vilës. Por sivjet rrethanat kanë ndryshuar.
Agostineli është në krye të pankinës korçare, ndërsa Josa ka marrë në drejtim ekipin e Tiranës. Nesër këto dy skuadra do të përballen së bashku në kuadër të javës së 16-të të Superiores dhe italiani është në avantazh ndaj Josës. Ky i fundit, do të kërkojë fitoren me bardheblutë për të arritur objektivin me ekipin, por gjithashtu të barazohet me trajnerin Agostineli për sa i përket numrit të fitoreve.