
Situata aspak e këndshme që po kalon Milani javët e fundit, ka bërë që të gjithë të aludojnë se, shumë prej titullarëve mund të kërkojnë largimin nga klubi në muajin janar apo vetë klubi do t'i largojë për të rregulluar situatën ekonomike.
Së fundmi, "Sky Italia" , ka zbuluar se për "gardianin" e Milanit, Gianluigi Donnarumma ka ardhur një ofertë konkrete nga skuadra e Juventusit dhe bëhet fjalë për një shumë jo të vogël, por 70 milionë euro, që nuk janë pak duke patur parasysh moshën e lojtarit, që është vetëm 18-vjeç.
Në sulm për shërbimet e portierit është hedhur dhe PSG, por deri më tani, asgjë konkrete. Ndër të tjera, "Sky Italia" ka zbuluar se Mino Raiola, agjenti i Donnarumës është takuar me drejtuesit e klubit të Milanit dhe gjithçka i është kthyer normalitetit, por ende nuk është mbyllur gjithçka.
Se çfarë do të ndodhë, pritet të mësohet ditët në vijim, për të kuptuar nëse "gardiani" do të braktisë apo jo bluzën e Milanit dhe nëse ky i fundit do të jetë i vetmi apo do të ketë dhe të tjerë që do kërkojnë të braktisin skuadrën në janar.