Davide Domgjoni kaloi këtë merkato nga Menemenspor te Luzern në Superligën e Zvicrës. Prizrenasi është produkt i Shkëndijës së Tiranës, ndërsa për dy sezone ka qenë pjesë e Tiranës në elitën e futbollit shqiptar.
Plot 55 mijë euro kanë paguar zviceranët për kartonin e 24 vjeçarit, që u largua vjet falas nga Laçi drejt Turqisë, aty ku pas një sezoni të mirë ia doli të ngjitë shkallët në karrierë. Nëse klubi turk përfitoi disa mijëra euro nga transferimi i Domgjonit, një gjë e tillë nuk mund të thuhet për klubet shqiptare, që ende nuk ia kanë dalë të krijojnë një strukturë biznesi për yjet që kanë në ekip.
Një shembull negativ vjen nga Partizani, Laçi apo Vllaznia, të cilët nuk kanë mbajtur dot yjet e skuadrave duke iu larguar “free”, kryesisht drejt kampionatit turk që është kthyer në një “oaz” për shqiptarët. Për një vit në ligën e parë turke, Domgjoni ia rriti vlerën vetes nga 150 mijë euro, në gati 400 mijë euro.