
Superioria do të hapë sot javën e 32-të të saj me 4 sfida që do të turbullojnë ujërat në renditjen e përgjithshme. Në orën 14:00 do të startojnë 2 sfidat e para me Egnatian që pret Bylisin në shtëpi ndërsa Kastrioti luan në Elbasan si pritës përballë Vllaznisë.
Në orën 18:00 do të luhen edhe 2 ndeshjet me peshën më të rëndë të kësaj jave. Tirana udhëton në Durrës ku sfidon Teutën ndërsa Partizani pret Kukësin në Arenën e Demave. Dy përballje në distancë me Tiranën dhe Partizanin që kanë titullin në mes ndërsa Teuta e Kukësi mbijetesën.
4 përballje për ditën e sotme që garantojnë spektakël dhe në fund mund të kemi edhe verdiktet e para, edhe pse jo matematikisht por nëse Partizani ndalet dhe Tirana fiton, atëherë titulli është në xhep për bardheblutë. Njëjtë edhe situata e Europës mes Vllaznisë dhe Egnatias apo ajo e mbijetesës me 4 ekipet e fundit.