
Vllaznia humbi dje 3-1 në transfertë me Siroki Brijeg për turin e parë të Conference League. Ndeshja e zhvilluar në Bosnjë foli për vendasit, që shënuan dy herë nga dy penallti të dyshimta. 11 kartona të verdhë për Vllazninë, dy të kuq për shkodranët, mes tyre Krymi dhe Brdaric në stol.
Pas ndeshjes, trajneri Thomas Brdaric dhe drejtori sportiv, Matko Djarmati kanë folur për mediet, duke vënë theksin te vendimet e njëanshme të arbitrit rus, Aleksei Matyunin.
"Gjykimi ishte totalisht i njëanshëm me atë që pamë. Nuk e nisëm mirë ndeshjen, disa gjëra nuk funksionuan si duhet. U përpoqëm të ndryshonim diçka me zëvendësimet dhe shënuam një gol. Shpresoj të jemi më mirë se sot. E dimë se si do të pozicionohemi e të luajmë ndeshjen tjetër", tha Djarmati.
Brdaric tha pas ndeshjes:
"Ne humbëm sot një ndeshje, e cila ishte e balancuar për mua, nuk e di se çfarë ndodhi me gjyqtarët por humbën kontrollin në çdo gjë. Gjyqtari ishte kundër nesh, nuk e pranoj këtë ndeshje, ishte e paligjshme. Nuk mund ta besoj sa herë ishte kundër nesh gjyqtari.
Skuadra luajti mirë, në momentin e duhur bëmë gjënë e duhur. Më vjen keq ta them, por lojtarët e mi luajtën kundër 12 vetave mbrëmjen e sotme, dhe të luash kundër 12 vetave është shumë e vështirë. Nisëm që nga fillimi me pretendimet, më pas gjithçka u bë edhe më serioze.
Kemi të gjitha shanset për ndeshjen e kthimit, ndoshta do të kemi një gjyqtar më të mirë dhe ndeshje më të mirë dhe do të kalojmë. Luftuam shumë mirë sot, lojtarët kishin plan të mirë si të luanin kundër tyre".