Gjilani i Gentian Mezanit ka bërë një lëvizje të mirë në merkato, teksa ka afruar në skuadër lojtarin Fatlind Azizi që ishte pjesë e moshave të Fenerbahçes. Mediat kosovare bëjnë me dije se 19 vjeçari dhe klubi ka arritur marrëveshjen e bashkëpunimit, me mesfushorin që rikthehet kështu në vendlindje.
Gjatë karrierës së tij, Azizi ka qenë pjesë e të rinjve të Bursaspor dhe me këta të fundit ka zhvilluar 19 ndeshje në Supeligën e moshave. Së fundmi lojtari ishte bashkuar me Fenerbahçen, duke vendosur të braktisë Turqinë për t'u rikthyer në futbollin kosovar. Prezantimi i lojtarit është bërë në mesditë, ndërsa Gjilani do të zbresë në fushë më tetë shkurt, pikërisht në ndeshjen e Kupës përballë Drenicës.

Njoftimi i Gjilanit:
SC Gjilani ju njofton për arritjen e marrëveshjes me futbollistin Fatlind Azizi. Klubi ka 'firmosur' me mesfushorin 19 vjeçar duke e parë si të domosdoshëm për objektivat që janë vënë për këtë edicion.
Azizi, i cili luan në rolin e mesfushorit të qendrës vjen me një përvojë nga kampionati turk, me ç'rast për dy vite ishte pjesë e të rinjëve të Bursaspor dhe Fenerbahçes.
Përvoja e tij në kampionatin e të rinjëve në Turqi pritet të jetë një ndihmesë e madhe për klubin.
Fatlindit i urojmë shumë fat dhe suksese me ngjyrat 'kuqebardh' këtë edicion.
