
Më 1 nëntor të vitit të largët 1897 nga disa studentë në qytetin e Torinos u krijua ekipi më i madh italian i të gjitha kohërave Juventus. Sot "Zonja e Vjetër" feston 120 vjetorin e krijimit të vet. Një 120 vjetor që na risjell në kujtesë edhe njëherë sukseset e bardhezinjve që kanë qenë të panumërta në gjithë këto vite.
Juventus mban rekordin në Itali për numrin e kampionateve të fituar ku numëron plot 32 të tillë. 12 Kupa të Italisë dhe 9 Superkupa italiane. Sukseset vazhdojnë edhe jashtë kufinjve italianë me 2 Champions League të fituara dhe 3 Europa League. Juventus numëron edhe 2 Kupa Interkontinentale.
Trofe dhe lojtarë legjendarë pafund duke filluar nga Del Piero, Buffon, Nedved, Zidane, Sivori, Rossi, Platini e shumë e shumë të tjerë.
Por çdo sukses e ka edhe një pikë dështimi. Një nga "njollat" më të mëdha të historisë së Juventusit është rënia në Serie B në vitin 2006 për shkak të skandalit të basteve. Një rënie që u kalua shpejt nga sukseset që pasuan pas ngjitjes në Serie A. Sot "Zonja" feston 120 vjetorin e vet dhe e gjithë Bota uron një nga shkollat e arta të futbollit botëror.