
Elbasani nuk po gjen rehatinë prej dy vitesh, ku përpos rënies në të Parën pa lënë gjurmë në elitë, sezonin e fundit luftoi deri në javën e fundit për të qëndruar në kategori. Situatë alarmante, por që nuk pritet që të përsëritet këtë vit.
Sot është bërë takimi mes kryebashkiakut Qazim Sejdini, presidentit Arben Laze dhe trajnerit Muharrem Dosti. Të tre janë takuar për të ardhmen e skuadrës, ndërsa kanë përcaktuar objektivin e sezonit të ri.
Investimet nga të dyja palët nuk do të mungojnë, ndërsa ndryshimet janë vënë re që në ditën e parë. Janë afruar tre lojtarë të huaj, dy sulmues nga Angola dhe një brazilian që luan në mesfushë. Ende nuk bëhen të ditur emrat e tyre, pasi do të vëzhgohen nga trajneri Dosti.
Sa iu përket largimeve, Eugen Bualli është rikthyer te Bylis dhe Andi Mahilaj tek Apolonia, pasi kanë qenë të huazuar. Ndërsa Xhuljo Jaupaj është në provë në Itali, ndërsa Kristal Abazaj është bërë pjesë e Luftëtarit.