
Francesco Acerbi ka reaguar pas episodit të shumë diskutuar me Juan Jesus. Italiani ka thyer kështu heshtjen pas vendimit të Gjykatës Sportive të Italisë.
Futbollisti u konsiderua i pafajshëm dhe në një deklaratë për “Corriere della Sera” ka theksuar se më shumë ka vuajtur tani se sa kur luftonte me tumorin. Ndër të tjera ka zbuluar se fëmijët e tij janë kërcënuar me jetë pas kësaj situate, duke vënë në alarm kështu gjithë familjen.
“Jam i mërzitur dhe i keqardhur për këtë histori. Mendoj se kemi dalë të gjithë të humbur nga kjo. Kur më duhej të dëshmoja përpara prokurorit kam parë njerëz afër meje që më shihnin dhe reagonin sikur kisha bërë 10 vite burg. Jam i lumtur që kam dalë nga një situatë e tillë. Ishin ditë shumë të rënda dhe të vështira. Pse po flas tani? Sepse kisha besim te drejtësia dhe nuk doja që me fjalët e mia të shkaktoja të tjera polemika.
Vendimi i Gjykatës Sportive? Vendimi ishte një çlirim edhe për të gjithë situatën që ishte krijuar rreth meje. Më stresoi shumë për mënyrën si u mbyll në fushën e lojës dhe si reaguan të tjerët pa e ditur të vërtetën. Pashë një urrejtje të madhe sikur të kisha vrarë dike.
Kërcënimet? Është duke u poshtëruar një person dhe duke u masakruar familja e tij. Por për çfarë? Për diçka që u mbyll në fushë dhe në të cilën racizmi nuk hyn fare. Racizmi është diçka serioze, nuk mund të kalohet në këtë mënyrë. Kjo nuk është luftë kundër racizmit. Sëmundja që kisha disa vite më parë ishte thjesht një shëtitje në krahasim me këtë situatë të ditëve të fundit. Në atë kohë nuk pata frikë, ndërsa urrejtja këtë herë ishte shumë e madhe”, ka theksuar ndër të tjera Acerbi.