Një javë më parë ishte trajneri Armando Cungu ai që u rikonfirmua në krye të pankinës së Vllaznisë për sezonin e ardhshëm, ndërsa sot ka qenë dita e kapitenit të skuadrës për t'u rikonfirmuar. Faqja zyrtare e klubit shkodran në rrjetin social "facebook" ka publikuar fotot nga rinovimi i kontratës mes administratorit Astrit Gjyrezi dhe kapitenit të skuadrës, Ndriçim Shtubina.
[caption id="attachment_740" align="alignright" width="400"] Ndriçim Shtubina firmos kontratën[/caption]
Bëhet me dije se rinovimi i kontratës është bërë për dy vitet e ardhshme, ku mesfushori shkodran do të jetë pjesë e ekipit të vendlindjes. Ndërkohë që pas tij do të ketë të tjera firma që do të rikonfirmojnë një pjesë të konsiderueshme të grupit të lojtarëve që mbyllën sezonin.
Ky do të jetë sezoni i pestë radhazi për Shtubinën me fanellën kuqeblu, pasi në sezonin 2011-2012 ai u shkëput nga Vllaznia për fanellën e Flamurtarit. Ai ka luajtur si titullar në 33 takime të kampionatit të sapombyllur të futbollit dhe ka shënuar 6 gola, të cilët kanë qenë dhe vendimtarë për situatën që ky klub kaloi këtë sezon.