Zvicra ka barazuar në mënyrë disi suprizuese përballë Izraelit. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Pancho Arena” në Hungari, përfundoi në barazim 1-1.
Zvicerianët kaluan në avantazh me anë të Ruben Vargas në minutën e 36’ pas një aksioni model që u finalizua në mënyrë perfekte. Me nisjen e pjesës së dytë Izraeli u bë më kërkues duke gjetur dhe golin në limitet e ndeshjes. Welssman shënoi në minutën e 88’ duke risjellë baraspeshën e ndeshjes dhe vulosur rezultatin përfundimtar.
Zvicra në krahun tjetër e mbylli këtë sfidë me 10 lojtarë për shkak se Fernandes u ndëshkua me karton të kuq. Qendërmbrojtësi kreu një ndërhyrje të ashpër ndaj kundërshtarit në minutën e 94’ të sfidës.
Përsa i përket Granit Xhakës, ky i fundit ishte titullar në këtë sfidë duke qenë në fushë nga fillimi e deri në fund me shiritin e kapitenit në krah. Ndërsa Xherdan Shaqiri e ndoqi ndeshjen nga pankina. Minuta kishte dhe për Andi Zeqirin, me këtë të fundit që luajti 26 minuta.
Me këtë barazim Izraeli mban “gjallë” shpresat e kualifikimit duke u renditur në vendin e 3-të me 12 pikë, 4 më pak se Rumania e vendit të dytë dhe Zvicra e vendit të parë.