
Milan dhe Real Madrid janë përballur në orët e para të mëngjesit, me kohën tonë, në një ndeshje miqësore në SHBA, aty ku po zhvillojnë edhe fazat përgatitore. Në stadiumin Rose Boël në Pasadena, mbi 100 mijë spektatorë mbipopulluan stadiumin për të parë dy ekipet gjigante të dhurojnë spektakël në fushën e lojës.
Një sfidë plot emocione e cila përfundoi me rezultatin 2-3 në favor të madrilenëve. Kuqezinjtë kaluan të parët në avantazh teksa fituan pjesën e parë me rezultatin 2-0, golat u shënuan nga Tomori dhe Romero. Në pjesën e dytë Los Blancos arriti të përmbysë rezultatin me dygolëshin e Valverdes dhe atë të Vinicus pak para fundit të ndeshjes.
Jude Bellingham bëri debutimin e tij me fanellën e bardhë ndërsa Brahim Diaz ‘debutoi’ për herë të dytë me spanjollët pikërisht ndaj ish-skuadrës së tij, Milanit. Te kuqezinjtë, i sapoardhuri Reijnders luajti minutat e para me fanellën kuqezi.