
Mosha është thjeshtë një numër përpara pasionit për sportin.
Këtë e tregojnë edhe atletët e së shkuarës në vendin tonë, që pavarësisht "viteve mbi supe" kërkojnë që të "djegin" kilometrazhin në pistat e vrapit.
E pikërisht një gjë të tillë do të tentojnë ta bëjnë në Kampionatin Ballkanit të këtij sporti, që do mbahet në vendin tonë nga datat 17 deri më 19 shtator.
Për herë të parë, ky aktivitet i rëndësishëm i Gadishullit do të mbahet në stadiumin "Skënderbeu" të Korçës, me mbështetjen e bashkisë së qytetit, Federatës Shqiptare të Atletikës dhe Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë.
Ekipi ynë kombëtar i veteranëve do të jetë i përbërë nga emra të njohur si kampioni dhe rekordmeni i Ballkanit në gjysmë maratonë, Nexhat Xhemalçe, apo kampionë të tjerë si Admir Dizdari e Dhimitraq Cepa në hedhje disku, Emiljana Ciko në hedhje çekiçi apo vrapuesi Genc Lugja.
Po ashtu, në Korçë do të jenë emra të njohur të sportit shqiptar si Klodeta Gjini, Alma Thano apo Dorian Çollaku, ndërsa nga organizatorët ftohen të marrin pjesë të gjitha personalitetet e atletikës gjatë viteve.
Kampionati Ballkanik është i ndarë sipas kategorive të moshave me ndarje 5-vjeçare, nga 35 deri në moshën maksimale.
Rekordmeni i Ballkanit në gjysmë maratonë, Nexhat Xhemalçe, merr pjesë në grupin e 85-vjeçarëve.