Para disa minutash, mesfushori defensiv, Ardit Krymi ka zbuluar vendimin në Instagram, largimi nga klubi i fëmijërisë, Vllaznia. 30-vjeçari konsiderohej “motori” i ekipit në lidhjen mes fazave dhe rikuperimin e topit.
Ndër rreshta, evidentohen pakënaqësit e lojtarit, ndonëse përpiqet ta “kamuflojë” disi. Te Vllaznia, mesfushori vendas fitoi 2 herë Kupën e Shqipërisë, sezonet 2020-2021 dhe 2021-2022, ama jo titullin kampion në Superiore.
"Nuk kam kërkuar privilegje, vetëm respektin që besoj se e kam meritu pas gjithë viteve të sakrificës dhe kontributit në futboll. Për hir të tifozëve zgjodha të hesht dhe të mos krijoj polemika, por heshtja nuk duhet ngatërruar me pranimin e padrejtësive.
Largohem me ndërgjegje të pastër, por me pengun më të madh, mosfitimin e titullit në Shkodër. Falënderoj tifozët që më kanë mbështetur gjithmonë. Ju keni qenë arsyeja pse kam luftuar deri në sekondën e fundit në fushë.
Gjithashtu falënderoj të gjithë çunat e ekipit për këto vite që i ndamë së bashku. Falëminderit", ka shkruar Krymi.
View this post on Instagram
