Ditën e djeshme, Vllaznia bëri të ditur për tifozët e saj se do të zhvillojë 5 ndeshje miqësore të cilat vlejnë për përgatitjet e sezonit të ri, e ku fillimisht shkodranët do të masin forcat e tyre në ndeshjen e parë që përkon me kualifikueset e Conference League, aty ku do të gjejnë Malishevën, skuadrën tjetër shqiptare që militon në Superligën e Kosovës.
Ajo çfarë bie në sy, është se klubi shkodran ka vepruar me një instikt të rrallë përzgjedhjesh, pasi emrat e kundërshtarëve me të cilët ka rënë dakord të zhvillojë miqësore nuk janë të një niveli të zakonshëm, madje dy prej tyre shumë herë më lart se vetë Vllaznia. Fjala është për NK Olimpija Ljubljanën dhe FC Koper, skuadrat më të spikatura në elitën e futbollit slloven.
Edhe kundërshtarët e tjerë si NK Lokomotiva Zagreb ka dukshëm nivel më të lart se shkodranët. Nëse marrim për bazë nivelin e kampionatit kroat me atë të Superiores, diferencat janë mëse të dukshme, çfarë e bënë Vllazninë “të guximshme” në nuhatjen e dueleve miqësore.
Sa i përket testeve të lehta, kuqeblutë do të kenë të bëjnë me rumunët e FC Arges Pitesti si dhe me NK Rudes, po nga Kroacia veçse luajnë një kategori më poshtë për nga rëndësia.
“Djemtë” e trajnerit Edi Martini e kanë të qartë se për t’u kapur pas një objektivi madhor siç janë grupet e Conference League, sikurse titulli që vijon të mbetet një ëndërr e madhe që prej tashmë, 26 vitesh, nëse marrim për bazë kohëzgjatjen e sezonit të rregullt, duhen “pesha të rënda” për të shkelur “gazin” drejt një viti më produktiv se ai që kaloi.


