
Vllaznia mori një fitore spektakolare mbrëmjen e djeshme në supersfidën përballë Tiranës, e vlefshme për javën e 20-të të Superiores. Klasikja e zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi”, përfundoi 2-1 në favor të vendasve.
Ndërkohë që ajo ç’ka ra në sy ishte largimi i tifogrupit mbështetës së Tiranës, “Tirona Fanatics” pas vetëm 10 minutash lojë. Pikërisht për këtë situatë, ka reaguar vetë tifgorupi duke sqaruar arsyen e largimit nga “Loro Boriçi”.
Fanatics shkruajnë se disa prej anëtarëve të tyre nuk u lanë të futeshin në stadium. Ndër të tjera, sjelljen e policisë në Shkodër, ata e krahasojnë me atë të forcave policore serbe.
Reagimi i Tirona Fanatics:
Sqarim:
Provokimet e Policisë së Shkodrës kanë kohë që janë bërë një traditë dhe zakon i përhershëm çdo herë që ne udhëtojmë drejt këtij qyteti.
Këtë herë, injoranca dhe provokimi i tyre arritën kulmin, pasi, përveç selektivitetit të ndalimit të hyrjes për anëtarët tanë, pervec gjuhës së denjë vetëm për një rrugac me uniforme, na u komunikua ne hyrje gjithashtu një masë absurde që ndalonte futjen e çdo shalli në stadium.
Ky vendim është pjesë e një plani të ndërmarë nga një polici provokatore, provinciale dhe thellësisht jo-profesionale.
Ne, kurrsesi nuk mund të vazhdonim normalisht të bënim atë për të cilën kishim ardhur duke u detyruar te braktisim shkallët e stadiumit pak pas fillimit te lojës si pasojë e një absurditeti të madh!
Sjellje të tilla do të ishin te pritshme vetëm nga një forcë policore serbe, dhe jo nga institucioni shtetëror i cili ka përgjegjësinë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, para, gjatë dhe pas ndeshjeve të futbollit!
Kjo është diçka që nuk është parë as dëgjuar më parë!
Shalli nuk është një armë, dhe ky lloj represioni është një përpjekje konstante për të dëmtuar haptazi tifozerinë bardhë e blu.
Nuk do të lejojmë që këto akte injorante dhe shtypëse të na ndalojnë!
Ne kurrë nuk kemi ndaluar përballë represionit, as në kohët më të errëta të historisë tonë. Prandaj, nuk do të ndalemi as tani.
Kampionati nuk fillon e mbaron me nje ndeshje ne Shkoder!
Tirona Fanatics 11/01/2024