
Partizani prej ditësh ka ndezur ‘motorët’ dhe po stërvitet me ritme të plota. Skuadrës i janë bashkuar edhe lojtarët që mungonin prej aktivizmit nëpër ekipet kombëtare dhe tani grupi është i plotë.
Bintsuka u kthye nga Afrika, më saktë nga Kongo dhe do të kryejë seanca stërvitore në ditët në vazhdim. Kote dhe Hadroj u rikthyen nga përfaqësimi i ngjyrave kuqezi, gjithashtu.
Nga të tre lojtarët që nderuan Partizanin në arenën ndërkombëtare vetëm Hadroj vjen me 0 minuta aktivizimi. Sylvinho nuk e preferoi për asnjë moment pukjanin, ku madje mbrojtësi u detyrua t’a ndiqte ndeshjen e dytë nga tribuna e stadiumit Kombëtar.
Kote i thirrur për herë të parë nga Bushi debutoi si titullar në të 2 takimet miqësore të U-21 me Moldavinë. Gjergji duket se shpejt do të jetë një pikë kyçe për planet e Shpresave. Sulmuesi i të kuqve gjeti hapësira kundër Ugandës në kualifikueset e Kupës së Afrikës.