Në emisonin “Skaner” në MCN i është bërë një analizë ndeshjes Partizani – Vllaznia, e cila përfundoi me shifrat 1-1. Dy analistët e përhershëm, Lirim Zalla dhe Sulejman Starova ishin të të njëjtin mendim, që të kuqtë meritonin fitoren, duke mos kursyer elozhet për trajnerin Oltijon Kërnaja.
Sipas tyre, performanca e Partizanit ishte e nivelit të lartë, ndoshta më e mira për këtë sezon. Madje, Zalla theksoi se reagimi i “Demave” pas golit të Vllaznisë, ishte i frikshëm, duke i dhënë një “bravo të madhe”, teknikut Kërnaja.
Lirim Zalla: Partizani për herë të parë këtë kampionat, pasi pësoi gol, pati një reagim të frikshëm. Nëse skuadrat reagojnë pas pësimit të golit, tregojnë forcë.
Sulejman Starova: Kjo është një nga vlerat. Papritmas, Vllaznia vetëm që pret dhe s’dinin se çfarë po bëhej, tregoi dobësi në qendër. Kjo ndodhi për meritë të Partizanit, i cili ishte më afër fitores. Nuk është pak për një skuadër që nuk është mirë në klasifikim.
Lirim Zalla: Duhet t’i themi bravo atij djalit, Kërnajës. Po bën mjaft mirë me Partizanin.
Sulejman Starova: Ka shumë mungesa, Keko, Skuka. Dy mbrojtësat e qendrës, Sembene dhe Preka. Mbrojtësi i djathtë, që nuk luanin. Komplet reparti. Forca e Partizanit është që ka masivitet që i ka marrë nga ekipi B. Fitorja me Teutën dhe me lojë të mirë, është e rrallë nga 2-0 në 3-2. Sigurisht që ka meritë trajneri.
