Tirana luan në Ballsh në sfidën e parë direkte ndaj një rivali për objektivin "mbijetesë”, këtë të shtunë. Bardheblutë janë në garë me kohën për t’i qëndruar larg “zjarrit” të rënies nga kategoria, ndaj dhe ata duhet të bëjnë maksimumin në duelet e fazës së fundit që ofron dhe kalendari i mbetur.
Krahas presionit që i shoqëron në fundin e tabelës, tek kryeqytetasit shtohet një tjetër “hall”, ai i kartonëve të verdhë pasi tek skuadra rrezikojnë plot 5 lojtarë për ndeshjen pasardhëse, asaj përballë Vorës, po në shtëpi, e vlefshme për javën e 29-të të Abissnet Superiore.
Rimal Haxhiu, Ermal Meta, Angelo Tafas, Luciano Vera dhe Bazilio Ndongu duhet të maten mirë në duelin përballë Bylis, për të mos bërë me dhimbje koke trajnerin Orges Shehi në javën pasardhëse.
