Partizani do të luajë sot kundër Vllaznisë, ndeshje e vlefshme për javën e 30-të të Superiores. Një përballje ku pritet të dhurojë spektakël me të dy skuadrat që vijnë nga performanca pozitive të javëve të fundit.
E megjithatë në këtë takim që do të zhvillohet sot në orën 17:00, kryeqytetasit shihen disi më të favorizuar, me kuqeblutë që do ta kenë të vështirë për të dalë me 3 pikë nga “Arena e Demave”.
Neësport.al ka analizuar këtë ndeshje duke radhitur 10 arsye se pse të kuqtë do të mund të ndalin sot kuqeblutë që kryesojnë në vendin e parë të Superiores.
- Partizani luan në shtëpinë e vet dhe një ditë e shtunë, me një mot të mirë favorizon praninë e tifozëve. Pra faktori fushë anon peshoren në anën e të kuqve.
- Të kuqtë vijnë nga një ecuri e jashtëzakonshme në 5 javët e fundit ku kanë arritur të marrin 3 fitore dhe 2 barazime. Pra janë të motivuar në maksimum.
- Kanë në pankinë një trajner si Oltijon Kërnaja që ka treguar se di ta lexojë mjaft mirë lojën kundërshtare pa nisur sfida duke gjetur pikat e dobëta dhe duke sfumuar ato të fortat.
- Ka një organikë cilësore me lojtarë që arrijnë të bëjnë diferencën si Xhuliano Skuka apo Sidibe që në çdo moment janë rrezik konstant për kundërshtarin.
- Trajneri Kërnaja ka “halle” luksi pasi edhe në stol ka futbollistë që mund të futen në çdo minutë dhe mund të zgjidhin ndeshjen.
- Te Vllaznia është dëmtuar dhe ka mbyllur sezonin një nga lojtarët më të rëndësishëm siç ishte Lirim Kastrati, pak halle më pak për mbrojtjen e të kuqve.
- Një fitore me Vllazninë do të shkurtonte diferencën në vetëm 6 pikë me kryesueset dhe pse jo për të shpresuar më shumë se Kupat e Europës.
- Triumfi është domosdoshmëri për të ruajtur diferencën e pikëve me Dinamon ndjekëse në mënyrë që të mos komplikohen pozitat në fundin e sezonit për objektivin e klubit.
- Partizani ka luajtur 3 ndeshje këtë sezon me Vllazninë, 2 prej tyre në krye Kërnaja. Me teknikun tropojan një ndeshje është humbur dhe një tjetër ka dalë në barazim 1-1. Sot është momenti i “hakmarrjes”.
- Presidenti Gaz Demi ka deklaruar se nëse nuk arrihen Kupat e Europës, sezoni mund të konsiderohet i dështuar. Pra, një rezultat pozitiv duhet për të nisur hipotekimin e vendit të katërt ku elita është futur në sprintin final.
