Dy tituj të fituar në Superiore me Egnatian, por në këto çaste po përjeton një telash të madh që i prek drejtpërsëdrejti karrierën e tij si futbollist. Fjala është për mbrojtësin Zamiq Aliyev, të cilit i është ndaluar të largohet jashtë vendit, pra nga Azerbajxhani për një detyrim ende të pashlyer.
Në një komunikim të bërë me median azere "İdmanxeber.az", është vetë menaxheri i lojtarit, Emrah Akcaay i cili raporton se shkak i kësaj “tymnaje” të pazakontë është bërë shërbimi i detyrueshëm ushtarak, diçka që Aliyev duhet ta bëjë.
Mbetet e paqartë se çfarë do të ndodhë me futbollistin në fjalë, teksa Egnatia në krahun tjetër e ka hequr nga lista e lojtarëve për kualifikueset e Champions League.
REAGIMI I MENAXHERIT TË LOJTARIT:
"Më 8 qershor, Zamiq duhej të nisej për në kampin Egnatia. Megjithatë, mësuam se futbollistit i ishte ndaluar të largohej nga vendi. Unë menjëherë u interesova për këtë çështje, dhe futbollistit nuk iu lejua të largohej nga vendi për shkak të shërbimit të tij ushtarak. Aktualisht jemi në një situatë shumë të vështirë. I kemi bërë thirrje AFFA-së dhe Ministrisë së Sportit dhe Rinisë. Edhe trajneri kryesor i Qarabag-ut, Gurban Gurbanov, është në dijeni të çështjes. Për fat të mirë, ai ishte gjithashtu i interesuar dhe kontaktoi federatën dhe ministrinë. Në fakt, si AFFA ashtu edhe ministria po bëjnë çmos.
Të dy organizatat i dërguan letra Shërbimit Shtetëror për Mobilizim dhe Rekrutim dhe Ministrisë së Mbrojtjes. Ata deklaruan se Zamig përfaqësonte vendin dhe flamurin tonë. Pas kësaj, na u tha se futbollisti duhet t'i nënshtrohet një ekzaminimi mjekësor. Zamig bëri gjithçka, i kaloi të gjitha ekzaminimet. Megjithatë, për fat të keq, ndalimi nuk është hequr ende. Thuhet se futbollisti do të dërgohet në shërbim ushtarak.
Zamig përfaqëson Azerbajxhanin, mban flamurin e vendit. Ekipi i tij luan në Ligën e Kampionëve. Ai duhet të mbështetet dhe të ndihmohet. “Egnatia” gjithashtu u është drejtuar të gjitha organeve zyrtare. Por pa sukses. Në fund, klubi thotë se do ta ndërpresë kontratën me lojtarin. Imagjinoni që Zamiq aktualisht ka oferta nga tre vende, por ne nuk mund të interesohemi për asnjërën prej tyre. Karriera e një futbollisti të ri azerbajxhanas po shkon drejt shkatërrimit.”
