Klubi i Vorës ka zyrtarizuar afrimin e qendërsulmuesit Dimitar Trajkov. Edhe pse është vetëm 21 vjeç, lojtari nga Maqedonia e Veriut po dëshmon nivel të lartë.
Eksperienca e fundit për Trajkov përkon me Polissya në Premier League të Ukrainës. Sipas “Transfermarkt”, qendërsulmuesi ballkanas vlen 350 mijë euro. Tashmë, trajneri i vorakëve, Arjan Bellaji ka më shumë opsione në fazën ofensive.
“Klubi ynë ka kënaqësinë të njoftojë se Dimitar Trajkov është zyrtarisht pjesë e skuadrës sonë. Sulmuesi qendror 21-vjeçar nga Maqedonia e Veriut vjen pas një eksperience të rëndësishme në futbollin maqedonas, ukrainas dhe kroat.
Gjatë karrierës së tij ai ka qenë pjesë e klubeve si AP Brera, Polissya Zhytomyr, NK Dugopolje dhe Rabotnički, duke fituar përvojë në nivele të ndryshme të futbollit profesionist.
Trajkov ka përfaqësuar gjithashtu kombëtaren e Maqedonisë së Veriut në grupmoshat U-18, U-19 dhe U-21, duke konfirmuar potencialin dhe cilësitë e tij si një nga talentet premtues të brezit të tij.
Me eksperiencën dhe cilësitë e tij, Trajkov pritet të jetë një vlerë e shtuar për repartin ofensiv të skuadrës dhe të kontribuojë në arritjen e objektivave të klubit gjatë sezonit të ri. Mirë se erdhe, Dimitar”, ka shkruar klubi i Vorës.
View this post on Instagram
