
Ka përfunduar java e 34-të e kampionatit “Abissnet Superiore”. Vllaznia dhe Partizani siguruan matematikisht pjesëmarrjen në “Final 4”.
Në stadiumin “Loro Boriçi” Vllaznia fitoi 1-0 me Dinamo City, me shkodranët që shkojnë kështu në kuotën e 58 pikëve, 2 më pak se Egnatia kryesuese. Ndërsa Dinamo mbetet ende në luftë për Final 4, në vendin e katërt me 47 pikë.
Në “Arenën e Demave” Partizani triumfoi me rezultatin minimal 1-0 ndaj Skënderbeut. “Demat” sigurojnë matematikisht pjesëmarrjen në Final 4 dhe shkojnë në kuotën e 57 pikëve në vendin e 3-të. Ndërsa korçarët me 47 pikë, po aq sa Dinamo mbeten në vendin e 5-të
Teuta mori një fitore të rëndësishme në shtëpi, pasi mposhti Egnatian e vendit të parë në “Niko Dovana” me rezultatin minimal 1-0. “Djemtë e Detit”, shkojnë në kuotën e 44 pikëve, duke u shkëputur nga zona “Play Out”, ndërsa Egnatia mbetet në vendin e parë me 60 pikë.
Edhe Laçi ja doli mbanë të fitonte ndaj Tiranës 1-0 në Laç. Kurbinasit besojnë ende te mbijetesa, edhe pse momentalisht ndodhen në zonën e ftohtë të renditjes me 42 pikë. Në krahun tjetër, Tirana rrezikon Final 4, pasi mbetet në vendin e 6-të me 46 pikë.
Takimi Erzeni – Kukësi përfundoi në barazim 3-3. Tashmë pas verilindorëve, janë shijakasit ata që bien zyrtarisht në Kategorinë e Parë.
