Superkupa e Shqipërisë është përzgjedhur vitet e fundit të zhvillohet në stadiumin modern “Air Albania” në kryeqytet. Kushtet që të ofrojnë shkallët e këtij impianti, por edhe tapeti bashkëkohor ka bërë që organizatorët ta shohin të udhës që kjo sfidë e programuar në gusht të luhet në këtë stadium. Por, një propozim i ri vjen një nga gazetarët më me eksperiencë në vendin tonë siç është Gjergji Stefa.
Në Instagramin e tij, ai shkruan se FSHF-ja duhet ta mendojë seriozisht që kjo përballje të zhvendoset në jug të Shqipërisë. Koha e caktuar për t’u luajtur finalja përkon me pikun e sezonit turistik dhe në këtë mënyrë do të promovohej edhe futbolli ynë përtej kufijve, por edhe stadiumet do të ishin plot.
“Kam gjithmonë bindjen se Superkupa e Shqipërisë duhet të organizohet në stadiumin e Sarandës. Në atë periudhë qyteti është plot me turistë dhe eventi do të kthehej në një spektakël të vërtetë sportiv dhe turistik. Do të ishte një mundësi e shkëlqyer për të promovuar futbollin shqiptar, por edhe për të sjellë një atmosferë të bukur dhe festive në bregdet”, shkruan Stefa në Instagramin e tij.
