Tirana është mposhtur në shtëpi nga Vora, në ndeshjen e vlefshme për javën e 11-të të Superiores. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Selman Stërmasi”, përfundoi me shifrat 0-2. Pas këtij dueli ka folur trajneri fitues, Arjan Bellai.
“Dua të përgëzoj çunat. Jam i lumtur pasi kam shumicën e lojtarëve që kisha vjet. Jam krenar që punoj me këta çuna, dua t’u uroj të kenë gjithçka, por duke bërë punën çdo të diel, që të kenë këto gëzime dhe fitore. Në pjesën e parë bëmë mirë, i bëmë të gjitha si në mbrojtje ashtu dhe ofensivë. Pjesa e parë foli për ne. Në pjesën e dytë kërkuam të mbanim topin, por s’ja dolëm. Kundërshtari ishte në humbje dhe rrinte lart, rëndësi ka që nuk pësuam gol.
Unë nuk kam flokë dhe kur shoh në pasqyrë, shoh lojtarët nga mbrapa, s’shoh veten. Donim që kundërshtari të bënte topa të gjatë dhe ia dolëm. Kemi marrë shumë “rebound”, të cilat në futboll të mbajnë në lojë. Kishim përgatitur të bënim këtë presing. Kemi shumë mungesa, jemi të ngarkuar. Janë ndeshje të vazhdueshme dhe janë po të njëjtët futbollistë. Kasalla është shtylla e ekipit, por të gjithë ishin të mrekullueshëm”, tha Bellai.
