Tek Tirana janë të vetëdijshëm se për të kërkuar së paku mbijetesën në Abissnet Superiore, kërkohet vëmendje maksimale ndaj çdo kundërshtari, pasi çdo pikë e lënë në ndeshjet e ardhshme do t’u kushtojë shtrenjtë bardhebluve.
Këtë të dielë, skuadra e drejtuar nga Orges Shehi do të presë në stadiumin “Selman Stermasi” Elbasanin, skuadër me të cilën nuk ka fituar asnjë përballje këtë sezon. Një “tabu” të cilën skuadra kryeqytetase kërkon ta thyejë në mënyrë që të shpresojë për qëndrimin mes më të mirave në Superiore.
Statistikat flasin në favor të miqve, të cilët në 6 ndeshje të luajtura me Tiranën kanë marrë 2 fitore dhe 4 barazime.
Në krahun tjetër, për trajnerin Shehi është një tjetër test i rëndësishëm, pasi sytë e tifozëve dhe drejtuesve janë të përqëndruar tek plani i teknikut durrsak, për të shpëtuar një sezon gati për t’u harruar.
