Marjo Kola ishte një nga emrat e panjohur mbrëmjen e djeshme në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit. Sulmuesi kryeqytetas, u hodh në fushë në minutën e 53-të të takimit duke i besuar shumë për një sfidë që ishte në disavantazh të dy golave. E megjithatë duket se trajneri Oltijon Kërnaja ia njeh mirë vlerat anësorit nga Peza. Ai ishte protagonist në golin e dytë të takimit, teksa me një inkursion personal nga e djathta e fushës, shmangu dy futbollistë të Teutës, duke e krosuar sferën për Buxhelajn që nuk e pati të vështirë ta jepte asist për Diegon.
Për gjatë gjithë ndeshjes ishte mjaft i lëvizsshëm në fushë, duke marrë përsipër të mbrojë dhe sulmojë njëkohësisht, në një takim ku ekipi mbeti me 10 veta. Po kush është ky djalosh i ri që provoi për herë të parë emocionet e Superiores? Marjo Kola është pjesë e Partizanit B, “zbulim” i trajnerit Kërnaja që prej kohës kur drejtonte Kukësin B.
Asokohe anësori ishte pjesë e verilindorëve duke qenë titullar i padiskutueshëm. Tanimë është bërë pjesë e ekipit të dytë të Partizanit, por me paraqitjen e mbrëmshme tregoi se mund të luftojë për një vend në skuadrën e parë. Vlen të theksohet se ndeshja Teuta – Partizani, përfundoi me rezultatin 2-3 në favor të të kuqve.
