Dinamo do të luajë këtë të shtunë derbin përballë Tiranës, sfidë e vlefshme për javën e 9-të të “Abissnet Superiore”. Ndeshja që do të zhvillohet në stadiumin “Flamurtari” të Vlorës, nis në orën 17:00.
Në prag të kësaj sfide në një prononcim të dhënë për “Newsport.al”, ka folur mesfushori anësor i “Bluve”, Bekim Maliqi. 23-vjeçari tregon ndryshimet që Daja solli te Dinamo, teksa thekson vështirësitë e tij te “Blutë” pas transferimit.
Ndër të tjera, Maliqi shprehet se ndaj Tiranës duan 3 pikët pasi janë ekip me më shumë kualitet se bardheblutë.
Ndryshimet që solli Ilir Daja?
Që nga ardhja e profesor Ilir Dajës jemi rritur në shumë aspekte, sidomos nga ana e personalitetit. Stërvitjen çdo ditë janë në maksimum dhe me ritëm të lartë, po mundohemi që sa më shumë të kujtojmë ato që kërkon profesiori dhe pse kemi shumë punë për të bërë. Na duhet kohë për të kuptuar që trajneri dëshiron, sepse ende s’kemi kapur thelbin.
Ndeshja ndaj Tiranës?
Përsa i përket kampionatit ndeshja ndaj Tiranës do të jetë si çdo ndeshje tjetër. Ne do ta marrim atë si sfidën e radhës dhe do të kërkojmë vazhdimësi. Do mundohemi të nxjerrim në fushë atë që kemi bërë në stërvitje dhe të jemi të përgjegjshëm. Besoj se jemi skuadër me më kualitet se Tirana dhe do dalim me 3 pikë.
Minutat që keni marrë këtë sezon?
Transferimi im te Dinamo ka qenë një fillim i vështirë. Por me ardhjen e profesor Dajës kam filluar që ngadalë të kap veten edhe pse ndoshta është vonë, por këto javët e funidt kam kapur ritmin dhe të ambientohem me shokët. Shpresoj të vazhdoj kështu dhe të kthehem në formën time më të mirë që të jem në gjendje për të ndihmuar shokët e skuadrës drejt objektivave dhe qëllimeve që ne kemi. Për këtë arsye kam ardhur te Dinamo.
Kundërshtari më i fortë në Superiore?
Superiora është një kampionat shumë i fortë këtë vit. Megjithatë mendoj se Egnatia dhe Partizani kanë skuadër me shumë lojtarë të mirë dhe kualitet që mund të bëjnë diferencën në çdo moment. /Nikoll RAJTA/