Elbasani ka triumfuar përballë Vorës ditën e sotme, në ndeshjen e vlefshme për javën e 25-të të “Abissnet Superiore”. Sfida e zhvilluar në stadiumin e Vorës, përfundoi 2-1 në favor të “verdhebluve”. Pas këtij dueli ka folur trajneri i vorakëve, Arjan Bellai.
“Më vjen gjynah sepse në lojë, çunat japim shpirtin. Pësuam gol në goditje standarde, nuk duhej. Nuk e lamë Elbasanin që të bënte kundërsulmet, është ekipi më i mirë në Shqipëri për tranzicionet e shpejta. Barazuam me Kasallën, por që të luash me këto ekipe, duhet të shënosh 2 gola, ose të mbanim barazimin 1-1.
Më vjen keq për ndërrimet e detyruar, Shehi dhe Barjamaj. Shehi do të mungojnë 1 muaj e ca, Barjamaj ka tërheqje. Lojtarët që janë të rinj në ekip, s’janë futur akoma në ato që ne punojmë në stërvitje. Nuk u vë faj, pasi Elbasani ka lojtarë cilësorë, jo se ne nuk i kemi, por të Elbasanit kanë pak më shumë eksperiencë. Jam i lumtur nga lojtarët e mi, por kur prish ekuilibrat në ekip, kështu ndodh. Elbasani shkoi lart dhe fuqizoi krahun e djathtë.
Kishim 5-6 lojtarë me viruse që nuk kanë bërë stërvitje. Janë shumë futbollistë edhe nga këta që u futën që kanë pasur probleme fizike, por ky nuk është justifikim. Na duhet më shumë forcë dhe shpirt, sa vjen dhe zvogëlohet numri i ndeshjeve. Të kemi kujdes jetën jashtë, jemi futbollisitë s’duhet të jemi shumë kohë jashtë, më mirë bashkë. Na duhet pikët ose të marrim fitore, kemi 7 ndeshje, 2 humbje, 1 fitore dhe 4 barazime”, tha Bellai.
