Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

SUPERIORE

FORMACIONI/ Më të mirët e javës së 8-të të Superiores, lojtarët dhe trajneri fitues (FOTO)

Shkruar nga NEWSPORT
FORMACIONI/ Më të mirët e javës së 8-të të
Formacioni i javes

Superiorja mbylli javën e saj të 8-të, me ndeshje mjaft emocionuese dhe gola. Si në çdo javë të elitës së futbollit shqiptar, edhe këtë javë, “Newsport.al” ka përzgjedhur formacionin më të mirë, 11 lojtarët që ranë më shumë në sy, si dhe trajnerin më të mirë të javës futbollistike të Superiores që lamë pas.

Aldo Teqja (Dinamo): Portieri i dinamovitëve po tregon nga ndeshja në ndeshje që nuk është “gabimisht” titullar në garën përballë Salit. Teqja po tregon efikasitet dhe cilësi, gjë të cilat i shpalosi edhe në fitoren 0-2 përballë Vorës, duke mbajtur portën e paprekur.

Andrey Yago (Vllaznia): Edhe pse në rolin e një mbrojtësi të majtë, braziliani është kthyer në “bomber” për shkodranët. Ai gjeti përsëri rrugën e rrjetës, në Klasiken përballë Tiranës. Vlen të theksohet se bën mjaft mirë edhe detyrat difensive.

Marcelino Preka (Partizani): Një lider i vërtetë në qendrën e mbrojtjes për të kuqtë. Tregoi nivel të lartë përballë kampionëve të Egnatias, duke dhënë kontribut kyç për të mos pësuar gol në një ndeshje mjaft delikate.

Bruno Dita (Dinamo): Padyshim që është “ylli” i ekipit dinamovit. Një kapiten i vërtetë që di të menaxhojë situatat në aspektin mbrojtës, por edhe të nxjerrë skuadrën përpara për të sulmuar, me disa topa të gjatë që shpeshherë kthehen në problem për kundërshtarët.

Erdenis Gurishta (Vllaznia): Shkodrani është “ringjallur” pas rikthimit në Shkodër. Shtëpia duket se i ka bërë mirë, duke pasur performanca të një niveli tepër të lartë, madje duke u përmirësuar nga ndeshja në ndeshje. Mjaft mirë bëri edhe në Klasiken përballë Tiranës, të cilën Vllaznia e fitoi 3-1.

Ardit Krymi (Vllaznia): Në rolin e mesfushorit “6-sh”, por Krymi është padyshim “xholi” i Edi Martinit. Një mesfushor që di të bëjë mirë në mbrojtje e sulm, teksa përballë Tiranës ia doli që të asistonte në golin e parë të shënuar nga Yago.

Albano Aleksi (Egnatia): Kapiteni tregoi vlerat e tij përballë Partizanit. Një mesfushor që i jep “frymë” mesfushës rrogozhinase, duke e nxjerrë nga presioni atëherë kur duhet, si mesfushorët, por edhe mbrojtësit.

Ergis Arifi (Teuta): Teuta ka një diamant në organikë. Arifi po e tregon këtë çdo ditë e më shumë. Madje, mbrëmjen e djeshme 18-vjeçari gjeti rrugën e rrjetës përballë Flamurtarit, duke ndihmuar në fitoren 3-2 në “Niko Dovana”.

Lorenco Vila (Dinamo): Mos është Vila i Teutës?! Duket se këtë sezon sulmuesi po kthehet në më të mirën e tij, teksa përballë Vorës shënoi golin e radhës në Superiore. Vila po kalon formë të mirë, teksa nuk gabon shpesh kur i jepet mundësia para portës kundërshtare.

Ibrahima Diallo (Elbasani): Elbasani ka gjetur sulmuesin që i mungonte. Senegalezi ka “shpërthyer” këtë sezon, teksa në fitoren 2-1 përballë Bylisit, ishte pikërisht ai që realizoi dopietë, duke “marrë për dore” skuadrën elbasanase.

Bekim Balaj (Vllaznia): Lideri i sulmit, Balaj nuk pyet për moshën por vazhdon që të shënojë rregullisht me fanellën e shkodranëve. Një sulmues “tipik”, që di të vendoset dhe të “çmarkohet” nga mbrojtja kundërshtare, gol edhe në Klasike përballë Tiranës.

Edi Martini (Vllaznia): Padyshim që “Trajneri i Javës”, është Edi Martini. Trajneri shkodran kishte përgatitur në mënyrë perfekte ndeshjen delikate përballë Tiranës, duke treguar qartë se nuk pyet për mungesa dhe se Vllaznia këtë sezon e ka seriozisht “çështjen” titull.

FORMACIONI/ Më të mirët e javës së 8-të të
FORMACIONI

 

Poll

Lexo gjithashtu