FIFA zbuloi një vendim ku i kishte bllokuar merkaton klubit të Vllaznisë. Shkak për këtë situatë është bërë ish-mbrojtësi kuqeblu, Marko Juric, ndaj të cilit klubi shkodran ka disa detyrime të pashlyera dhe momentalisht janë në gjyq.
Ndërkohë që është vetë kroati, i cili ka reaguar mbi këtë situatë, por pa dëshirën ta komentojë gjatë, duke theksuar se gëzon respekt për klubin e Vllaznisë.
“Përshëndetje, e respektoj Vllazninë dhe kohën që kalova në Shkodër. Nuk dua të bëj komente mbi këtë situatë. Faleminderit”, tha shkurt Juric për Newsport.al, duke refuzuar të fliste, ndryshe nga presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi.
Kujtojmë se ky i fundit nuk ngurroi të fliste për situatën. Kreu i klubit shkodran sqaroi gjithçka, duke treguar se Vllaznia kishte humbur gjyqin me ish-mbrojtësin.
“Është një gjyq që kemi humbur me lojtarin Marko Juric dhe shumë shpejt kemi filluar të marrim masat për zgjidhjen e ngërçit, për të pasur në muajin janar merkaton e zhbllokuar për ndonjë lëvizje të mundshme”, u shpreh Xhaferi për Top Channel.


