
Nuk ka shumë kohë për të pushuar për ekipet e Superiores. Skuadrat do të duhet të nisin menjëherë përgatitjet për sfidën e radhës. Java e 32-të të Superiores do të luhet në dy ditë, të premte dhe të shtunë.
Gjithçka do të startojë me sfidën mes Erzenit dhe Tiranës, përballje që do të luhet në “Arenën e Demave” duke nisur që nga ora 15:00 të ditës së premte. Shijakasit do të kërkojnë një tjetër fitore për mbijetesën, ndërsa nga krahu tjetër bardheblutë tentojnë 3 pikët për të kapur një vend në “Final – Four”.
Paralelisht me sfidës e Rrogozhinës do të luhet edhe në “Kukës Arena”, ku Kukësi dhe Skënderbeu do të përplasin “brirët” për 3 pikët. Të dyja skuadrat do të tentojnë rikthimin te fitorja në kampionëeet për të hedhur prapakrahëve humbjet e javës së kaluar. Gjithashtu verilindorët do të luajnë shanset e fundit për mbijetesën, ndërsa korçarët kërkojnë të luftojnë deri në fund për “Final – Four”.
Të shtunën do të luhen 3 sfidat e tjera. Laçi – Egnatia ngre siparin e kësaj dite në orën 15:00. Kurbinasit e Armando Cungu duan të vazhdojnë me ecurinë pozitive dhe në shtëpi nuk kanë rrugë tjetër veçse fitores, teksa rrogozhinasit tentojnë 3 pikët për të “blinduar” vendin e parë në klasifikim.
Në orën 18:00 do të luhet në kryeqytet dhe Durrës. Partizani do të presë Dinamon për të bërë mes tyre llogaritë e derbit të 4-të të këtij sezoni në kampionat, ku “demat” janë të dënuar vetmë për triumfin, ndërkohë “blutë” do të tentojnë të fitojnë për t’iu marrë të kuqve edhe vendin e 3-të në tabelën e klasifikimit.
Paralelisht Teuta do të luftojë “kokë më kokë” me Vllazninë për 3 pikët e kësaj jave. Pas fitores me Skënderbeun, durrsakët duan edhe një tjetër fitore për të lënë “Play-Out”, ndërsa nga krhau tjetër shkodranët pas 4 javësh pa fitore synojnë rikthimin te rezultatet pozitive, pasi në të kundërt do të rrezikojnë shumë në renditje.
JAVA 32
Erzeni-Tirana 19.04.2024 15:00
Kukësi-Skënderbeu 19.04.2024 15:00
Laçi-Egnatia 20.04.2024 15:00
Partizani-Dinamo City 20.04.2024 18:00
Teuta-Vllaznia 20.04.2024 18:00