Egnatia barazoi pa gola përballë Partizanit mbrëmjen e djeshme, në ndeshjen e vlefshme për javën e 8-të të Superiores. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Arena e Demave”, përfundoi 0-0.
Një tjetër ndeshje pa gol nga sulmuesit për rrogozhinasit, të cilët duket se kanë probleme në repartin ofensiv. Pikërisht për këtë temë, u ndal të fliste vetë trajneri Edlir Tetova pas përfundimit të ndeshjes.
“Në sulm mungon diçka. Jemi duke punuar në stërvitje, duhet të shtysh topin në rrjetë, janë disa gjëra çudira. Duhet të presim te kjo pjesë. E kuptoj që duhet shënuar. Por e dini që sulmuesit e mi kur shënojnë golat, janë ofertat që vijnë”, u shpreh Tetova.
Duket qartë, se trajneri e ka dëshirën e madhe që sulmuesit të shënojnë gola. Megjithatë, “timonieri” i kampionëve ka “frikë” edhe nga merkato apo ofertat që vijnë çdo vit në drejtim të Egnatias, sa herë një lojtar i tyre kalon formë të mirë apo shënon gola.



