Situata e Naser Alijit ka pësuar një ndryshim drastik, pasi mësohet se futbollisti ka zgjedhur të rinovojë me Dinamon.
Ky zhvillim është konfirmuar edhe nga gazetari Gerti Çarçani në emisionin “Skaner” që transmetohet në MCN TV. Burimet pranë kryeqytetasve raportojnë se palët kanë rënë dakord për të zgjatur bashkëpunimin dhe në këtë mënyrë, pista “Egnatia” bie menjëherë, edhe pse kampionët e Superiores kishin paraqitur ofertë për ta afruar në organikë.
Kështu, Aliji i jep fund dilemave pas firmës së hedhur mbi kontratë dhe ajo çfarë mbetet është vetëm komunikimi zyrtar nga ana e klubit.
Me “blutë” e kryeqytetit, mbrojtësi i Kombëtares shqiptare ka zhvilluar 33 paraqitje këtë sezon ku ka dhuruar 2 asiste, duke u kthyer në një figurë kyçe për trajnerin Ilir Daja, i cili e sheh futbollistin, një vlerë të shtuar në formacion për Kupat e Europës si dhe për sezonin e ri 2026/27.
