Partizani ka fituar në shtëpi përballë Flamurtarit, në ndeshjen e vlefshme për javën e 16-të të Superiores. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Arena e Demave”, përfundoi me shifrat 2-1. Pas këtij dueli ka folur trajneri fitues, Oltijon Kërnaja.
“Bashkë me këto çuna kemi dhënë premtimin, jam njeri që mundohem të mbaj premtimet e mia. Deri tani e kemi mbajtur. Sot ishte e vështirë. Sot kishim 3 zëvendësime të detyruara në formacion. Jata është 19-vjeçar dhe ka luajtur shumë mirë sot. Janjeva kishte 3 ndeshje që performonte shumë mirë, u sëmur mbrëmë dhe Sembene futet pas 5 javësh pushim. Shanaj ka luajtur jashtëzakonisht mirë, pas 1 viti pothuajse që s’luante titullar. Çunat e morën veten dhe arritëm fitoren.
Ia lamë vetë Flamurtarit të mbante topin, me qendërmbrojtësat anësor pasi s’janë të rrezikshëm. Këtë herë luajti me 3 sulmues, me Muratajn që vinte pas Oshafit dhe Maksutit, lojtarë që kanë cilësi. Kjo bëri që ne të përdornim një mënyrë tjetër presingu. Automatizmat do të vinin pak me vështirësi. Djemtë s’kanë luajtur bashkë me njëri-tjetrin. Doumbia që u dëmtua, Ismaili me karton.
Kjo na bëri që të mos ishim shumë korrekt në minuat e para. Për pjesën anësore e kishim përgatitur ashtu të mbanim gjerësinë. Improvizuam Buxhelajn si uinger, pasi s’kemi një tipik. Jam i kënaqur nga djemtë edhe nga ata që s’kanë luajtur titullar. Vetëm shpirt gare dhe të ecim përpara.
Goli erdhi nga një penallti që duhet të shikohet. Është një gabim që duhet të rregullohet. Nuk erdhi nga një aksion i Flamurtarit, pasi Flamurtari e bëri atë vetëm në minutat e para. Edhe pse ata ndryshonin, ne e bënim gjatë lojës. Djemtë që u futën treguan që janë të gatshëm.
Garcia, Da Silva, spastrime? Është herët për të folur, unë fus në lojë ata që flasin në fushë. Edhe Jata është i Partizanit B. Ne nuk kemi e quajmë Partizanin A dhe atë B, quhemi Partizani kemi objektiva njësoj edhe B do Kategorinë e Parë. Lojtarët që nuk luajnë sot, luajnë nesër, të japin maksimumin atje”, tha Kërnaja.
