Vllaznia nuk po kalon një moment aspak të mirë në kampionat, me shkodranët që kanë 5 ndeshje që nuk ia dalin dot të fitorjnë. Rezultate këto që rezultuan “fatale” për Qatip Osmanin, i cili u shkarkua nga detyra e trajnerit dhe tashmë në dorë i ka “frenat” Thomas Brdariç.
Ky i fundit pasditen e djeshme ka zhvilluar stërvitjen e parë me skuadrën në rikthimin e tij. Sfida e radhës është një ‘provim’ i vështirë për shkodranët, teksa do të luajnë në transfertë ndaj Egnatias kryesuese.
Kuqeblutë do të luajnë “all-in” për fitoren që është shumë e rëndësishme për objektivin titull. Brdariç do të debutojë kështu ndaj rrogozhinasve, një skuadër jo shumë e “dëshiruar” për trajnerin gjerman, pasi dy herë që është sfiduar me Egnatian ka marrë vetëm barazime.
Ditën e nesërme në orën 15:00, Brdariç është i “dënuar” vetëm për fitoren, pasi në të kundërt do të rrezikonte shumë në objektivin titull. Aktualisht kuqeblutë mbajnë vendin e dytë me 51 pikë, 8 më pak se Egnatia dhe 1 më shumë se Partizani.