Partizani po bën përgatitjet e fundit për finalen e madhe të Superiores që luhet nesër në orën 19:00 në Air Albania. Të kuqtë sfidojnë Egnatian për të ruajtur fronin si kampion i Superiores e për të fituar titullin e dytë rradhazi, një sukses që nuk përsëritet prej 6 vitesh në Shqipëri që nga Skënderbeu i sezonit 2017-2018.
Për ‘Demat’ do të jetë titulli i 3-të në 6 sezonet e fundit, që do të përkthehej në një dominim i të kuqve në elitën shqiptare. Të gjithë e duan titullin kampion, por për disa është një kënaqësi më e madhe sidomos kur e fiton si kapiten, siç bëhet fjalë për Valentino Muratajn.
Mesfushori ka marrë shiritin e kapitenit këtë sezon të Partizani dhe do të ishte një ëndërr e realizuar të ngrinte lart trofeun kampion. E ka bërë edhe vjet, por ishte Bruno Telushi kapiteni, ndërsa në 2019-tën Alban Hoxha.
Lojtari që ndoshta nuk duket ‘i bukur’ në fushë, por çdo trajner e ‘dashuron’ një të tillë në ekipin e tij. Murataj është nga ata lojtarë që shkurt e saktë, të ‘mbarojnë punë’. Mbi të gjitha, është një ‘ultras’ në fushën e lojës duke përfaqësuar vlerat e një kapiteni që lidh skuadrën me tifozërinë, ku ka më bukur se kaq.
E diela do të jetë një ditë e paharrueshme për të, pavarësisht si përfundon ndeshja. A do t’ia dalë ai t’i marrë stafetën Alban Hoxhës e Bruno Telushit si kapiteni i rradhës që nxjerr Partizanin kampion? Kjo mbetet të zbulohet të dielën, por një gjë është e sigurtë: Murataj do të nxjerrë edhe pikën e fundit të djersës e gjakut vetëm për ta arritur këtë.