Partizani dhe Vllaznia kanë barazuar në ndeshjen e vlefshme për javën e 12-të të Superiores. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Arena e Demave”, përfundoi me shifrat 1-1. Pas këtij dueli ka folur trajneri i të kuqve, Oltijon Kërnaja.
“Më vjen keq për rastet e humbura, por më vjen edhe mirë kur shoh të luajmë ashtu. Partizani nuk e meriton të jetë aty ku është dhe sot ne ishim ata që humbëm 2 pikë. Ne e kishim përgatitur kështu ndeshjen, duke parë që Vllaznia niset fort përpara. Kishim rastet tona që dolëm ashtu siç donim.
1 pikë s’na qëndronte komod me kryesuesin apo me asnjë tjetër. Partizani është ekipi më i mirë në Shqipëri, futemi vetëm për fitore. Mbizotëruam në çdo hapësirë, fituam shumë duele. Na vjen keq për 2 pikët e lëna.
Pësimi i golit? Ne e kishim lexuar, për të korrigjuar lojtarët. Nëse topi do të dilte jashtë një 1 minutë më përpara, do ishte ndryshe. Por topi kaloi mes dy linjave. Me 1 gjuajtje në portë, Vllaznia mori barazimin. Kështu është futbolli, s’fiton gjithmonë ekipi më i mirë.
6 pikë larg “Final Four”? Sigurisht që pikët aty janë. Partizani është i aftë për katërshen dhe për të synuar më lart. Sot kemi 12 mungesa në ekip dhe përsëri performojnë mirë. Skuka, Bintsouka e me radhë, mungojnë, plus kartonët e dy ndeshjeve të fundit. Partizani ka mundësi reale për katërshen”, tha Kërnaja.
