Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

VENDI

SHRF Gjirokastër zhvillon Asamblenë e Përgjithshme Zgjedhore 2026, zgjidhet Kryetari

Shkruar nga NEWSPORT
SHRF Gjirokastër zhvillon Asamblenë e Përgjithshme Zgjedhore
Shoqata Rajonale e Futbollit Gjirokastër

Shoqata Rajonale e Futbollit Gjirokastër zhvilloi sot punimet e Asamblesë së Përgjithshme Zgjedhore 2026.

Në këtë takim ishin të pranishëm 8 anëtarë të shoqatës, të përfaqësuar nga 9 delegatë, të cilët diskutuan pikat e përcaktuara në rendin e ditës, që kishin të bënin me raportin e aktivitetit të shoqatës, miratimin e pasqyrave financiare, miratimin e buxhetit për vitin 2026, zgjedhjen e kryetarit të ri, përjashtimin e anëtarëve, si edhe propozimin e kandidaturave për President dhe anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së.

Një nga pikat më të rëndësishme në rendin e ditës ishte zgjedhja e kryetarit të ri të SHRF Gjirokastër për katërvjeçarin e ardhshëm.

Komisioni i Verifikimit, organi përgjegjës për organizimin e procesit zgjedhor, deklaroi se komisionit i ishte paraqitur vetëm një kandidaturë për postin e Kryetarit, konkretisht kërkesa për kandidim nga z. Gligor Çabeli, i propozuar nga anëtarët KF Përmeti, FK Këlcyra, AF Luftëtari, KF Memaliaj, Klubi i Futbollit Delvina dhe AF Memaliaj.

Asambleja e Përgjithshme Zgjedhore e SHRF Gjirokastër, me unanimitet të plotë, vendosi të zgjedhë Kryetar të SHRF Gjirokastër z. Gligor Çabeli me mandat katërvjeçar.

Pas zgjedhjes, Gligor Çabeli falënderoi anëtarët për besimin e dhënë, duke theksuar se ky mandat është një përgjegjësi e madhe dhe një mundësi për të kontribuar në zhvillimin dhe përparimin e futbollit në rajon.

“Dua të falënderoj secilin prej jush për besimin dhe mbështetjen që më dhatë duke më zgjedhur Kryetar të Shoqatës Rajonale të Futbollit Gjirokastër.

Ky është një moment i rëndësishëm për mua dhe për gjithë komunitetin e futbollit në rajonin tonë. Një falënderim i veçantë shkon për kryetarin e deritanishëm, z. Sadik Sadikaj, për punën e vyer dhe përkushtimin që ka treguar ndër vite dhe që vazhdon të tregojë, duke kontribuar në mënyrë të vazhdueshme që kjo shoqatë të ecë përpara. Puna dhe përvoja e tij janë një vlerë e rëndësishme për të gjithë ne.

Mandati që më është besuar nuk përfaqëson vetëm një përgjegjësi të madhe, por edhe një mundësi për të dhënë kontributin tim në zhvillimin dhe përparimin e futbollit në rajonin tonë.

E kuptoj plotësisht rëndësinë e këtij posti dhe angazhohem të punoj me përkushtim, transparencë dhe bashkëpunim të hapur me të gjitha klubet dhe anëtarët e Shoqatës. Kam besim të plotë se, së bashku, do të arrijmë të përballojmë sfidat dhe të realizojmë objektivat tona,” – tha Kryetari i SHRF Gjirokastër, Gligor Çabeli.

Gjatë punimeve të asamblesë u miratuan gjithashtu raporti i aktivitetit të shoqatës, pasqyrat financiare dhe buxheti për vitin 2026. SHRF Gjirokastër në Asamblenë e Përgjithshme të FSHF-së do të përfaqësohet nga Kryetari Gligor Çabeli si delegat.

Asambleja e Përgjithshme Zgjedhore e SHRF Gjirokastër, me 9 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenime, vendosi të përjashtojë Klubin e Futbollit Luftëtari SH.A nga anëtarësia për arsye të mbylljes së aktivitetit.

Të gjithë anëtarët e SHRF Gjirokastër votuan për të propozuar si kandidat për postin e Presidentit të FSHF-së z. Armand Duka. Ndërsa si kandidat për anëtar të Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit u votua z. Arben Dervishaj, aktualisht anëtar i KE të FSHF.

Poll

Lexo gjithashtu