Edicioni i parë i UEFA C në Gjirokastër ka përfunduar me sukses, ku 21 kursantë nga qytetet e Gjirokastrës dhe Sarandës u diplomuan duke shënuar një hap të rëndësishëm për zhvillimin e trajnimit futbollistik në rajon.
Ndër të licencuarit ishin dhe 5 vajza, të cilave iu dha mundësia të pajisen me diplomën e trajneres, duke nxitur kështu pjesëmarrjen e grave në futboll.
Në ceremoninë e organizuar mori pjesë koordinatori i kursit, Erjon Stavri, kryetari i bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi, kryetari i SHRF Gjirokastër, Sadik Sadikaj, sekretari i SHRF Gjirokastër, Xhavid Kaçorri dhe drejtori teknik i SHRF Gjirokastër, Petraq Meçi.
Të diplomuarit e kursit UEFA C tashmë mund të punojnë si trajnerë në futbollin amator dhe zëvendës-trajnerë me ekipet e moshave në të gjitha nivelet e kampionateve të zhvilluara nga FSHF në Shqipëri.
Kursi UEFA C, që shërben si bazë për të mësuar dhe kuptuar thelbin e trajnimit në futboll, u vlerësua si një proces i suksesshëm dhe profesional. Pjesëmarrësit patën mundësinë të marrin njohuri të thelluara mbi teorinë dhe praktikën e lojës.